Live Laugh Love

Një vend ku argëtimi ka të gjitha ngjyrat e ylberit...!! Jeni të gjithë të mirëpritur...!!
 
ForumForum  Portali*Portali*  GalleryGallery  PytësoriPytësori  KërkoKërko  Lista AnëtarëveLista Anëtarëve  Grupet e AnëtarëveGrupet e Anëtarëve  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

Share | 
 

 Kultura Shqiptare

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Sara
SUPER ADMINISTRATORE
SUPER ADMINISTRATORE
avatar

Numri i postimeve : 1007
Age : 24
Location : ..ku t'du!!! ♥
Registration date : 25/11/2008

MesazhTitulli: Kultura Shqiptare   Mon Dec 08, 2008 3:49 pm

Kultura tradicionale në Shqipëri

Shqipëri njihen dy grupime të mëdha etnografike, të konsoliduar që nga
mesi i shek. XVIII, që janë: Gegëria në veri të lumit Shkumbin dhe
Toskëria në jug të tij. Gegëria përbëhej nga Gegëria e mirëfilltë,
Dukagjini apo Leknia, Malësia dhe Fushat Bregdetare të Veriut, kurse në
Toskëri bënin pjesë: Toskëria e mirëfilltë, Myzeqeja, Labëria e
Çamëria. Natyrisht, përbrenda këtyre krahinave etnografike ekzistonin
edhe ndarje të tjera më të vogla.


Mënyra e jetesës në fshat – Doke e zakone
Vendbanimet
në Shqipëri, qysh në mesjetë, kishin arritur një stabilitet dhe kishin
kufij të përcaktuar mirë, që ndanin një fshat nga të tjerët. Kufijtë
shënoheshin me gurë të mëdhenj të ngulur në tokë, me grumbuj plisash,
me rrjedhën e përrenjve e të lumenjve, me shenja në trungjet e drurëve,
atje ku kishte pyll, etj. Lëvizja e këtyre shenjave konsiderohej një
faj shumë i rëndë. Çdo fshatar i njihte mirë kufijtë e fshatit të vet
dhe mund t’i tregonte me lehtësi, duke përmendur toponimet përkatëse.

Përbrenda
kufijve të fshatit, përfshiheshin trojet e banesave e përqark tyre
oborret e kopshtijet, pastaj vinin arat ose tokat e punuara dhe më tej
kullotat dhe pjesa e malit a e pyllit, që i përkiste fshatit. Kjo
ndarje e territoreve të fshatit, në shumë zona të Shqipërisë, ruhej
ende mjaft mirë deri në vitet e Luftës së Parë Botërore, sidomos atje
ku mbizotëronte fshatarësia e lirë. Pronë plotësisht private, mbi të
cilën fshatari dispononte krejtësisht, ishin trojet e banesave dhe
kopshtijet, kurse tokat e mbjella ishin në disponim të tij, deri sa
ishin nen kulturë. Pasi mblidhej prodhimi bujqësor, tokat liroheshin
dhe kushdo mund të lëshonte bagëtinë për t’i kullotur, të tjera toka që
shfrytëzoheshin së bashku, pra fshatçe, ishin toka djerrë në vërri,
kullotat e mali dhe sidomos, burimet ujore për vaditjen e tokave të
mbjella, që bëhej sipas një rradhe rreptësisht të caktuar për çdo
familje.

Vendbanimet fshatare, në përgjithësi, i janë përshtatur
klimës dhe relievit ku janë vendosur. Fshatrat më të ulta janë ato të
Fushave Bregdetare, kurse fshatrat më të larta arrijnë deri në 1400
metra mbi nivelin e detit dhe ndodhen në rrethin e Korçës e atë të
Kukësit. Banesat e një fshati mund të ishin të grumbulluara ose të
shpërndara, madje në disa zona edhe shumë të shpërndara. Sidoqoftë,
fshati kishte një qendër shoqërore, rreth së cilës gravitonte
aktiviteti i njerëzve në kohën jashtë punës dhe kjo mund të ishte një
shesh i vogël pranë një rrapi a një lisi shekullor, dyqani i ndonjë
bakalli ose oborri i një ndërtese kulti (kishe a xhamie). Në gjysmën e
dytë të shek. XX, në shumicën e fshatrave, fondi i banesave pothuaj u
përtëri, duke ndryshuar tipet e banesave tradicionale të mëparshme. U
bënë edhe shumë ndërtime social-kulturore, si shkolla e kopshte
fëmijësh, shtëpi e vatra kulture, njësi tregtare, etj.

Nga
përllogaritjet e historianëve ka dalë se, në shek. XV, në Shqipëri,
mesatarja e shtëpive për çdo fshat, ishte 21; mesataren më të lartë e
kishte rrethi i Elbasanit, me 38 shtëpi, i ndjekur nga rrethi i Korçës,
me 28 shtëpi për fshat. Deri në çerekun e parë të shek. XX, rreth 80% e
popullsisë punonte e jetonte në fshatra, shumica e të cilave kishin nga
20 shtëpi afërsisht, dhe 3% e fshatrave kishin mbi 1000 banorë. Në
50-60 vitet e fundit, përqindja e popullsisë fshatare ndaj popullsisë
së përgjithshme, ra ne 64%, megjithëse qeveria e kohës synonte që
fshati të mos braktisej. Pra, mund të pohojmë, se pesha e kulturës
fshatare ndaj asaj qytetare, është ende e ndjeshme.

Gjatë shek.
XX e sidomos pas Luftës së Parë Botërore, mënyra e jetesës në fshatin
shqiptar pësoi ndryshime të rëndësishme. E megjithatë, në jetën
familjare, si edhe në jetën shoqërore, vazhduan të ruhen festa
popullore me forma të ndryshme argëtimi dhe në ndërgjegjen e njerëzve u
ruajtën shumë pasuri shpirtërore, të manifestuara në folklorin gojor e
muzikor të krahinave të ndryshme, sidomos në epikën legjendare e atë
historike, edhe pse hynin vazhdimisht shumë ide e shije të reja, me anë
të mjeteve të reja të komunikimit masiv.

Në ambientin fshatar
shqiptar, familja ka ende stabilitet të mirë dhe kohezion të bazuar në
jetën ekonomike të saj. Përsa i përket strukturës së saj, mund të
thuhet se ajo tashmë, është thjeshtuar mjaft. Në pjesën më të madhe të
vendit, familja përbëhet nga çifti i të martuarve me fëmijët e tyre
beqarë. Vajzat e martuara jetojnë në familjen e burrit. Djemtë e
martuar, pak kohë pas martese, veçohen nga familja e prindërve dhe
jetojnë më vete, por në shumë raste, djali më i vogël mbetet në
shtëpinë e prindërve dhe jeton me ta. Kështu, mesatarja e frymëve për
familje është 5-6 vetë, por ka fshatra, ku kjo mesatare është më e
ulët. Megjithatë, në kujtesën e njerëzve të moshuar, ruhen raste
familjesh të mëdha, ku vëllezërit e martuar e fëmijët e tyre jetonin së
bashku. Në këto familje kishte detyrimisht një rregull strikt në
ndarjen e punëve dhe të detyrave për të gjithë. Atje ruheshin më gjatë
edhe doke e zakone të dikurshme të jetës familjare, praktika e rite
pagane, etj.

Në ritet e besimet që kanë të bëjnë me ciklin e
jetës, pra me lindjen, martesën e vdekjen, studiuesit që janë marrë me
to, kanë mundur të hetojnë edhe rite të lashta, të cilat, sado të
zbehta, jetojnë aty-këtu. Këto janë kryesisht rite për të ndjellë
mbarësi për familjen e çiftuar e çiftet e reja, që të shtohen e të kenë
sidomos trashëgimtarë meshkuj. Ndër zakonet e vdekjes, mund të shënojmë
se deri në Luftën e Dytë Botërore, në disa krahina ruhej vajtimi me
“ligje” (këngë mortore).

Mjaft rite e besime të tjera lidhen me
data të caktuara të një kalendari të vjetër popullor dhe sipas
studiuesve, kanë të bëjnë me kulte të hershme blegtorale e bujqësore.
Bie fjala, Dita e verës apo 1 Marsi, shënohej nga një pastrim i
përgjithshëm ritual i banesave dhe i oborreve dhe më në fund, jo vetëm
u vihej zjarri plehrave të mbledhura gjatë këtij pastrimi, por në atë
zjarr hidheshin edhe vetë fshesat e vjetra, për të filluar stinën e re
me fshesat e reja, pra është fjala për një rit purifikator, Dikur, në
fshatra, Dita e verës pritej me shumë gëzim, sidomos nga fëmijët. Dita
e Shën Gjergjit (23 Prill), ishte gjithashtu nje festë e shoqëruar me
rite e praktika zbavitëse. Atmosferë gëzimi e hareje në fshat krijonin
edhe zjarret e mëdhenj, që ndizeshin nëpër oborre e në kryqëzime të
rrugëve më 22 Qershor, Ditën e Shën Gjonit. Rite shumë interesante
shoqëronin dikur nëpër malësi festën e “buzmit” në natën e solsticit të
dimrit.
Shumë festa të motmotit lidheshin me javën bujqësore e
blegtorale, si ishin përfundimi korrjeve, qethja e dhënve, kthimi i
barinjve nga kullotat verore, etj.

_________________
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit http://live-laugh-love.forummotion.com
Sara
SUPER ADMINISTRATORE
SUPER ADMINISTRATORE
avatar

Numri i postimeve : 1007
Age : 24
Location : ..ku t'du!!! ♥
Registration date : 25/11/2008

MesazhTitulli: Re: Kultura Shqiptare   Mon Dec 08, 2008 3:49 pm

Mite e besime popullore
Një
aspekt me interes i kulturës popullore shqiptare kanë qenë padyshim,
mitet, supersticionet e besimet fetare. Dihet historikisht, se feja e
krishterë filloi të përhapej ilegalisht në Iliri, që në shekullin e
parë të erës sonë. Ungjillëzimin e saj e filloi Shën Pali dhe e
përfunduan misionarët latinë. Kjo shpjegon faktin, se përse në gjuhën
shqipe, terminologjia fetare e krishterë është e burimit latin, si në
Veri e në Jug. Me përhapjen e myslimanizmit, e sidomos nga shek. XVII e
këtej, lindën disa fenomene të veçanta, si kriptokristianizmi në disa
fshatra në rrethin e Elbasanit (në krahinën e Shpatit), që vazhdoi deri
në Shpalljen e Pavarësisë më 1912. Por në shek. XIX, edhe në disa zona
të Shqipërisë Veriore (p.sh. në Lurë), kishte familje të përziera në
pikpamje fetare: disa pjesërisht katolikë e disa të tjerë myslimanë.
Nga Lufta e Parë Botërore ka ardhur duke u rritur edhe numri i atyre,
që nuk i ndjekin rregullisht praktikat fetare. Në këtë kuadër historik,
nuk është e vështirë të kuptohet, se si u bë e mundur që të ruhej deri
në shekullin tonë një përzierje e traditave të lashta pagane, me
elementë të krishtërimit e të myslimanizmit. Ndër mitet më të lashta të
ruajtura aty-këtu deri në fillim të shek. XX, ishte sigurisht kulti i
diellit, i cili ka lidhje me kultin e zjarrit e të vatrës (sepse vetë
dielli është burim drite e ngrohtësie), si edhe me kultet bujqësore e
blegtorale (sepse jeta e çdo gjallese në tokë varet nga dielli). Ruhej
gjithashtu, nderimi për disa maja malesh, që adhuroheshin, si “maja të
diellit”. Kështu, në data të caktuara, bëheshin pelegrinazhe në disa
maja malesh, si Maja e Rumies, Gjalica e Lumës, Çuka e Tomorrit,
këndravica, etj. Në këto festa ndizeshin zjarre të mëdhenj në pritje të
lindjes së diellit dhe besohej se ata ia shtonin fuqinë diellit. Le të
kujtojmë këtu, se mallkimi më i fortë që ndeshim në epikën legjendare
për kundërshtarin e heroit, është: “T’u shkimt hisja e diellit”.


shumë vise shqiptare ka patur gjurmë të një “kulti të gjarpërit”,
veçanërisht, për gjarpërin e bollës e shtëpisë që konsiderohej si një
hyjni mbrojtëse. Kulti i gjarpërit ka qenë shumë i njohur edhe tek
Ilirët e lashtësisë e sidomos tek dalmatët. Në malësitë tona, dikur
mendohej se çdo shtëpi e kishte gjarpërin e vet mbrojtës.


epikën legjendare flitet edhe për figura të tjera mitologjike mbrojtëse
të njeriut, si ishin orët dhe zanat a shtojzovallet. Ora mund të merrte
në mrojtje personin, familjen, por edhe gjithë fisin. Zanat ishin gra
të bukura, por edhe trime e luftëtare. Besohej, se ato banonin në
shpella mes pyjesh, pushonin në mrize, pranë burimeve ose në maja
malesh. Studiuesit e mitologjisë mendojnë, se zana ka lidhje me një
perëndi ilire të pyjeve e të burimeve që, në interpretimin romak mori
emrin Diana.

Dragoi përfytyrohej si një qenie e mbinatyrëshme,
me fuqi të jashtëzakonshme. Bëma e tij kryesore ishte të lironte ujrat,
që i kishte zënë kuçedra. Besohej, se dragojtë luftonin sidomos në kohë
furtunash të mëdha, duke përdorur topuzat, heshtat, shigjetat, gurët me
brima, por sidomos parmendat e zgjedhat. Ata mund të shkulnin edhe
drurë të mëdhenj e gurë të malit.

Kuçedra, përfytyrohej si një qenie mitologjike, që mishëronte forcat e verbra shkatërruese të natyrës.
Thuhej,
se ajo ishte si një gjarpër i madh me 3, 7, 9 ose 12 koka, që mund të
villnin zjarr. Zinte vend pranë burimeve, ndalonte ujin dhe i linte
njerëzit të vuanin.

Ka pasur padyshim edhe figura të tjera
interesante në mitologjinë shqiptare, që nuk mund të arrijmë t’i
përmendim këtu, ashtu si ka patur edhe supersticione mbi magjitë, syrin
e keq, parashikimin e së ardhmes, etj.


Arti fshatar e zejtaritë artistike
Zhvillimi
i artit fshatar dhe i zejtarive artistike në tre-katër shekujt e fundit
në Shqipëri, ka qenë i lidhur ngushtë me kushtet historike e shoqërore
të vendit, si ishin pushtimi i gjatë osman me pasoja të rënda në plan
fetar e kulturor, shtypja kombëtare e shoqërore e ushtruar gjatë këtij
sundimi të huaj, etj. Këto kushte të vështira penguan lulëzimin e artit
në shumë fusha, si në arkitekturën monumentale, në skulpturë, etj. dhe
e ndrydhën për një kohë artin vendas në sfera më të kufizuara si janë
artet minore. Në pamundësi për të trajtuar të gjitha fushat e arteve të
aplikuara popullore, më poshtë, po flasim shkurtimisht vetëm për disa
prej tyre.

Në fshatin shqiptar, tradita e punimit dhe e
zbukurimit të objekteve të vogla prej druri nga vetë fshatarët për
nevoja të jetës së përditshme, aty-këtu, u ruajt e gjallë edhe në
gjysmën e parë të shek. XX. Kështu, barinjtë zbukuronin krraba e
kupacë, furka, boshte, etj. Ndërsa të tjerë, fshatarë më të stervitur,
punonin shkambe e karrige me forma tradicionale, si ishin ato të
Dukagjinit, të Pukës, të Mirditës, etj., apo djepa për fëmijë, vegla
muzikore e sidomos arka për pajë. Në disa krahina të vendit, punimi i
drurit kishte arritur të ngrihej në zejtari artistike.

Nga shek.
XIII-XIX, kemi ekzemplarë gdhëndjesh në dru, që tërheqin edhe sot
admirimin tonë, si interiore ndërtesash kulti, interiore banesash
fshatare e qytetare, etj. Një nga ekzemplarët më të përkryer është
padyshim ikonostasi i kishës ortodokse të fshatit Leusë të Përmetit, i
punuar në fund të shek. XVIII. Atje, sfondi vegjetal është mbizotërues,
por me degët e gjethet e shumta, ndërthuren edhe figura kafshësh reale
e fantastike, zogj e simbole të ndryshme kristiane.

Punime të
shquara në dru gjenden edhe në interiore banesash, kryesisht tavane,
dollapë muri. kapakë dritaresh, trapazane, në qytete si Gjirokastra,
Berati, Elbasani, Shkodra, Prizreni, etj.

Traditën e punimit të
argjendit e gjejmë në lulëzim të plotë në shek. XVII-XVIII. Edhe sot,
ruhen veçanërisht në koleksione muzeale, objekte argjendi me mbishkrime
të datuara e me prejardhje nga qendra të ndryshme qytetare të vendit,
si Shkodra, Elbasani, Berati, Voskopoja, etj. Ato janë shumë herë të
një cilësise të lartë artistike, qofshin kulti, si kryqe, potirë,
kapakë ungjijsh, etj., qofshin objekte laike, si stoli trupi, pajisje
shtëpiake, etj.

Mjeshtrat e talentuar argjendarë të qyteteve,
gjatë shek. XVIII-XIX, kanë punuar për të veshur me pafta argjendi një
numur shumë të madh pushkësh të gjata, koburesh, jataganësh, vezmesh,
qe konsideroheshin si pajisje të nevojshme të çdo burri, nga të cilat,
një numur i mirë ruhet ende nëpër muzetë e vendit. Madje, ka shumë prej
tyre, që janë edhe të lara me ar.

Midis të gjitha objekteve prej
argjendi të ekzekutuara me teknika të ndryshme (me të rrahur, me të
derdhur, etj), finesë të veçantë paraqesin punimet me filigranë, qe
ishin më fort një specialitet i mjeshtërve argjendarë të qyteteve të
veriut se sa i atyre të jugut.

Gratë fshatare në Shqipëri, prej
shekujsh janë marrë me endjen e pëlhurave të ndryshme, që shërbenin
qoftë si pjesë veshjeje, qoftë si pajisje shtëpiake (dyshekë, peshqirë,
shtroje, mbulesa, piceta duarsh, mësalla tryeze, etj).


Shqipëri, pëlhurat e mëndafshta janë punuar e përdorur më shumë se në
vende të tjera të Ballkanit, ndoshta sepse edhe klima e favorizonte
rritjen e krimbit të mëndafshit, meqenëse në disa zona ishte mjaft i
përhapur mani i bardhë.

Tekstilet e leshta, të ekzekutuara me
një varg teknikash të ndryshme pune, përdoreshin gjerësisht dhe ruanin
shumë karakteristika lokale, që i bënin punimet e një krahine të
dalloheshin nga ato të krahinave të tjera.

Të tjera punëdore me
interes, ishin thurjet e ndryshme me shtiza, ojat e dantelat e sidomos
qendisjet e shumëllojshme, që nga qendisjet e thjeshta fshatare deri
tek qendisjet e mahnitëshme e virtuoze, me fije mëndafshi ose ari të
mjeshtrave qendistarë të disa qyteteve, dhe më herët, edhe pranë
manastireve të kohës. Midis punëve të tyre, kemi edhe ekzemplarë të
rrallë, si është rasti i Epitafit të madh të Glavenicës (pranë
Beratit), që mban datën 1373, si dhe të tjera qendisje laike e fetare
me interes të veçantë.


Kostumet tradicionale
Veshjet
popullore, janë pa dyshim një nga manifestimet më të fuqishme të
kulturës tradicionale. Ato janë trashëguese e transmetuese të shumë
elementëve, që vijnë nga lashtësia dhe nga koha e mesme, por janë
njëkohësisht edhe shprehje e marrëdhënieve kulturore me popuj të tjerë
gjatë shekujve.

Tipet kryesore të veshjeve popullore shqiptare
për burra janë: kostumi me fustanellë, kostumi me këmishë të gjatë e
dollamë (cibun), sipër kostumi me tirq dhe ai me poture (pantallona të
shkurtra deri te gjuri). Pra, në Shqipëri, burrat kanë mbajtur si
veshjet në formën e një fundi të gjerë, ashtu edhe ato në formë
pantallonash, por të parat kanë dalë nga përdorimi më herët se të
tjerat. Pjesët më të zbukuruara ishin jelekët dhe xhamadanët e kostumit
festiv. Burrat shqiptarë mbanin edhe stoli të ndryshme argjendi, si
jastekë gjoksi, sumbulla dekorative tek jelekët, unaza, pipa e kuti
cigaresh, por mbi të gjitha, armët e brezit e të krahut, që ishin
gjithnjë të stolisura pasurisht.

Për gra, tipet kryesore të
veshjeve, ishin: kostumi me xhubletë (një fund në formë këmbane),
kostumi më këmishë të gjatë e xhokë shajaku sipër, kostumi me dy futa
të vendosura mbi këmishën e gjatë, njëra përpara e tjetra prapa dhe
kostumi me mbështjellëse (një fund i hapur, i mbledhur tek beli me
rrudha ose pala).

Në veshje, ngjyrat e zbukurimet ndryshonin
simbas moshës. Për të vegjëlit e të rinjtë, kostumi krahinor mund të
ishte më i thjeshtë. Ndryshe nga popuj të tjerë të Ballkanit, në
Shqipëri, vajza që kishte arritur moshën e martesës, duhet të vishej
thjeshtë e pa stoli, flokët t’i mbulonte mirë me një shami dhe të mos
vishte rrobë të kuqe. Kostumi i martesës ishte varianti më i pasur i
veshjes së krahinës, si për nuset edhe për dhëndurët. Për nuset,
stolitë metalike ishin të pamungueshme, madje, përdoreshin edhe me
tepri, sepse këtu, me sa duket, kishte rendësi jo vetëm funksioni i
tyre estetik, por edhe funksioni magjik që u atribuohej. Për nuset,
rëndësi të veçantë kishte zbukurimi i kokës. Disa vjet pas martese,
veshja fillonte të lehtësohej nga zbukurimet.

Të vdekurit i
visheshin, sipas zakonit, ish rrobat më të mira. Në veshjet popullore,
shenjat e zisë ishin të pakta, gratë mund të vishnin praptas ndonjë nga
pjesët më të zbukuruara të kostumit, psh. xhokën a përparjen.

Studimet
e deritanishme, kanë treguar se pjesët përbërese të veshjeve
tradicionale, nuk kanë të gjitha të njejtën moshë. Ka pjesë, që të
kujtojnë veshjet mesjetare, me ndikime bizantine e orientale, të tjera
që vijnë si një jehonë e kohës antike, por ka edhe elementë, që mund të
lidhen me kulturën ilire. Mund të përmendim kështu analogjitë e
verejtura midis linjës popullore dhe “dalmatikës” ilire, apo midis
kapuçave, strukave (shalleve), opingave, etj. dhe elementeve
respektivë, të përdorur nga ilirët. Falë këtyre elementeve të
trashëguar nga kultura ilire dhe ajo e arbërve të mesjetës, gjatë
zhvillimit të tyre historik, veshjet popullore kanë arritur të fitojnë
një varg tiparesh origjinale, që marrin vlerat e një treguesi etnik, i
cili i dallon veshjet shqiptare nga ato të popujve të tjerë.

_________________
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit http://live-laugh-love.forummotion.com
 
Kultura Shqiptare
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Live Laugh Love :: Arti & Kultura-
Kërce tek: