Live Laugh Love
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Live Laugh Love

Një vend ku argëtimi ka të gjitha ngjyrat e ylberit...!! Jeni të gjithë të mirëpritur...!!
 
ForumForum  Portali*Portali*  GalleryGallery  Latest imagesLatest images  KërkoKërko  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 Makthi shkollë! Disko dhe mungesa pa fund!

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Sara
SUPER ADMINISTRATORE
SUPER ADMINISTRATORE
Sara


Numri i postimeve : 1007
Age : 31
Location : ..ku t'du!!! ♥
Registration date : 25/11/2008

Makthi shkollë! Disko dhe mungesa pa fund! Empty
MesazhTitulli: Makthi shkollë! Disko dhe mungesa pa fund!   Makthi shkollë! Disko dhe mungesa pa fund! Icon_minitimeMon Dec 08, 2008 4:11 pm

Lum mungesash në dy javët e para të fillimit të vitit të ri shkollor. Mësuesit kërkojnë rregulla më të forta disiplinore, ndërkohë që drejtoritë të përkrahur nga prindërit mbështesin fuqishëm mbylljen e portës kryesore si mjet për uljen e nivelit të mungesave. Nxënësit janë kundër, ndërkohë që e cilësojnë mbylljen në shkollë me burgun 313. Pro dhe kundra, çfarë po ndodh në gjimnazet e Tiranës?

Vija vertikale të mbushura në çdo tre kuadrate me sigla MP (mungesë pa leje) dhe banka të tëra bosh sikur papritur të ketë rënë sëmundja ngjitëse e fruthit. Mësuesit janë të pafuqishëm të veprojnë. Është vetëm java e dytë e shkollës dhe blloqet e shënimeve, në mungesë të regjistrave, pluskojnë numër rekord mungesash. Justifikimet janë nga më të çuditshmit që mund të dëgjosh. Disa nxënës thonë se kishin mamin sëmurë, disa të tjerë arratisen në orën e dytë të mësimit dhe kthehen ose jo në të fundit pa dhënë asnjë shpjegim mbi vendndodhjen apo arsyen e lënies së mësimit.

“E kemi të vështirë t’u kërkojmë llogari, pasi ka nxënës që nuk e kanë për turp edhe të ofendojnë”, shprehen mësuesit. Ca thonë se është brezi i tillë. Ca të tjerë e mohojnë duke ia vënë fajin edukimit në familje. Drejtuesit e shkollave bëjnë me gisht nga diskot e nëndheshme që kanë mbirë pranë insitucioneve arsimore që ato drejtojnë. Në një cep muri të palyer, ndoshta të harruar qëllimisht, në gjimnazin “Andon Zako Çajupi”, dallohen dukshëm shifrat 313, pikërisht atë numër që mban Burgu i Sigurisë së Lartë në Tiranë. E kanë shkruar vetë gjimnazistët në shenjë revolte ndaj mbylljes së derës së jashtme të shkollës. Xheni, gjimnaziste në këtë shkollë nuk e përtyp dot atë që ajo e quan izolim.

Kështu e cilëson gjimnazistja kyçjen e portës së jashtme nga drejtoria e shkollës. “Arsimi i mesëm nuk është me detyrim, atëherë me ç’të drejtë më refuzojnë të dal nga shkolla në orën e mësimit. Nëse unë dua të iki pa leje, mësuesit le të mbajnë mungesën shënim”. Nuk mendojnë të gjithë gjimnazistët kështu, por një pjesë e thonë troç se duan të jenë të lirë dhe jo të burgosurit e shkollës. Këtu nis edhe përplasja me mësuesit, të cilët nuk janë aspak dakord me nxënësit e tyre, duke i cilësuar prototipa apo kthyer ndryshe elementë që nuk e duan mësimin, dhe që vijnë në gjimnaz sa për të kaluar radhën. Albana Kosovrasti, drejtoreshë në gjimnazin “Andon Zako Çajupi”, tregohet absolutisht pro mbylljes së portës së jashtme të gjimnazit.

Nëse do të dispononte të gjithë infrastrukturën e nevojshme brenda shkollës, do ta kishte bërë fakt mbylljen e portës së jashtme një orë e më parë. Po me ç’motiv? E duan prindërit. Pjesa më e madhe e prindërve kërkojnë masa drastike dhe moslejim të fëmijëve të dalin nga shkolla pa përfunduar orari i plotë ditor i mësimit. “Arsimi i mesëm nuk është me detyrim, por këto masa e ndihmojnë nxënësin. Momentalisht dalja në shkollën tonë është e lirë, por kjo ama krijon mjaft probleme. Nxënësit bëjnë shumë mungesa. Ne nuk mund t’i përjashtojmë nga shkolla, dhe t’i nxjerrim në rrugë të madhe. Atëherë e vetmja mundësi është kontrolli me anë të mbylljes së derës së shkollës”.

Nëse në shkollë do të kishte fast-food, qendër argëtimi, sallë interneti që hëpërhë mungon, gjimnazistët nuk do të shprehnin dëshirën e vazhdueshme për të kapërcyer kangjellat e shkollës, në mungesë të lirisë për të dalë nga porta kryesore. Kështu mendon drejtoresha Kosovrasti, ndërkohë që është e pafuqishme të ndalë joshjen e muzikës që vjen jashtë mureve të shkollës. Në orën e tretë të mësimit diskot pranë kësaj shkolle janë plot me gjimnazistë që hidhen e përdridhen, pa u merakosur për mungesat që vërshojnë lum. Bashkohen 3-4 vetë, bëhen grup dhe vështirë se kthehen në mësim. Dalja pa leje e nxënësve jashtë shkollës në orët e mësimit kthehet në ankth edhe për vetë mësuesit kujdestarë, të cilët mbajnë përgjegjësi.

Por, a mos me mbylljen e portës së jashtme po krijojmë te brezi i ri psikozën e izolimit? “Jo, unë nuk e cilësoj kështu. Mbyllja e portës rrit disiplinimin te nxënësit dhe i ndihmon ata të ecin në jetë. Disiplina nis që te uniforma, te këmisha e bardhë. Nesër pas përfundimit të shkollës nxënësit do të shkojnë në punë. Mund të shkojnë gjysmë ore me vonesë. Edhe punëdhënësi do t’i ndëshkojë, ndoshta mund edhe t’i përjashtojë nga puna. Po nuk u krijua korrektësi që në këto momente, nxënësit me parime jo të drejta do ta kenë të vështirë të ecin më tej. Është më mirë të vuajmë sot dhe të përfitojmë nesër një njeri të denjë për shoqërinë sesa të mos kemi disiplinë”, thotë drejtoresha Kosovrasti. Të njëjtin mendim ndan me titullaren e gjimnazit “Andon Zako Çajupi” edhe Preng Vata, drejtor i shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë. Edhe në këtë shkollë, mungesat në dy javët e para të shkollës kanë qenë në masë të konsiderueshme, megjithë masat e marra për frenimin e ikjes së nxënësve nga orët e mësimit.

“Absolutisht ne nuk vëmë çels te porta. Dera e jashtme është krejtësisht e hapur. Mungesa? Patjetër që kemi pasur. Pse? Sepse ne kemi një numër nxënësish përsëritës. Këta nxënës kanë mbetur në klasë se nuk frekuentuan vitin e kaluar. Shumë prej tyre nuk kanë nxjerrë mësime. Edhe këtë vit vazhdojnë të bëjnë mungesa”. Edhe për drejtorin Vata, diskot mbeten problem shqetësues.

Shumë prej nxënësve kur kanë ftohtë, preferojnë të lënë shkollën për të shkuar në kafe. “Nxënësi me të vërtetë është i lirë, që të mos vijë në shkollë fare, por ai nuk është i lirë që të mos respektojë rregullat e shkollës. Kjo duhet të jetë e qartë për këdo. Nëse plotëson mungesat, përjashtohesh. Me 45 mungesa pa arsye përjashtohesh nga shkolla. Po çfarë ndodh? Dyzet e pesë mungesa pa arsye bëhen në fund të simestrit të parë, sepse kësaj kategorie nxënësish iu vjen në ndihmë në mënyrën më të shëmtuar disa mjekë të papërgjegjshëm që japin raporte mjekësore në mënyrën më të padrejtë.

Ndodh në mënyrë masive”. Raportet mjekësore fallco janë kthyer në problem shqetësues për mësuesit kujdestarë, të cilët shpeshherë janë detyruar të kryejnë verifikime, nga ku më pas janë konstatuar abuzime në plotësimin e tyre. Ky fakt i detyron drejtoritë e shkollave të tregohen më të rreptë në disiplinimin e sjelljes së nxënësve në institucionet që ata drejtojnë. Një shembull i tillë është gjimnazi “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet, ku në ndryshim nga vitet e kaluara jo vetëm që nuk shikohen të hidhen më nga muri vajza dhe djem në kërkim të lirisë, por edhe gjatë orëve të mësimit (përjashto pushimet 5-minutëshe) nuk ndihet asnjë lëvizje.

“Në fillim kur mora drejtimin e shkollës, u ndesha me shumë epitete jo shumë të hijshme. Nxënësit e kishin të vështirë të pranonin një model të ri sjelljeje. Tani them se kam bërë mirë dhe jam shumë më e bindur për të mbajtur të mbyllur gjatë orëve të mësimit portën e jashtme të shkollës”. Për drejtoreshën e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, shkolla nuk është burg, por kjo nuk do të thotë që të shkelet rregullorja e miratuar bashkërisht me nxënësit dhe prindërit. “Kjo është mosha më e vështirë. Ne nuk jemi Don Kishoti që të luftojmë me mullinjtë e erës. Pa miratimin e nxënësve ne nuk e miratojmë dot rregulloren e brendshme, kjo është taksative. A ka nxënës që nuk e pranojnë mbylljen e dyerve të shkollës? Patjetër që ka. Unë kam marrë përgjegjësi para shtetit dhe prindërve që nga ora 8 pa 5 deri në 1 e 15, nxënësi është nën përgjegjësinë e stafit pedagogjik”.

Profesoreshë Kalemi shton se sikur 1 për qind e nxënësve të linin orën e mësimit, atëherë do të bëhej nami, pasi siguria jashtë ambientit shkollor është e ulët dhe për rrjedhojë nxënësit janë më të prekur ndaj fenomeneve negative. “Ne kemi një kontratë me prindërit që ekziston mbi bazë të një marrëveshje, ku prindi lë numrin e celularit dhe njihet me rregullat e shkollës. Normalisht, unë do të ndihesha keq nëse do të kishte qoftë edhe një prind të vetëm i cili kërkon që fëmija e tij të bëjë çfarë të dojë gjatë orëve të mësimit. Ne ndjejmë që po bëjmë shumë për të ruajtur brezin e ri nga fenomenet negative. Ku është negativja? Është mosha më delikate!

Nxënësit, të paktën në shkollën tonë janë mësuar me rregullin tashmë. Po shikoj me Maturën Shtetërore që sa vjen e ka rezultate sa më realiste. Këtu varet e ardhmja e vendit dhe te shkolla duhet të fillojë rregulli”, përfundon drejtoresha e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, Diana Kalemi, duke forcuar mendimet se është ende herët për të pasur shkolla të hapura për nxënësit.

Albana Kosovrasti, drejtoreshë gjimnazi “A.Z.Çajupi”

Ka nxënës prototipa që kapërcejnë edhe hekurat. Ne mundohemi që këto orvatje nga hekurat të mos jenë masive, por për individë të ndryshëm do të jemi të detyruar të marrim masa. Synimi ynë është edukimi i brezit të ri dhe jo marrja e masave drastike, përjashtimeve, ose t’i nuk bën për shkollë etj. Unë marr të gjitha masat që nxënësi të bindet që duhet të vijë në shkollë pavarësisht që nuk është i detyruar. Unë jam e detyruar të lë derën hapur pasi ne nuk kemi infrastrukturën e duhur në ambientet e shkollës, dhe nxënësit janë të detyruar që në një interval të gjatë kohor prej 5-6 orësh të dalin nga shkolla dhe të blejnë diçka. Pra në çdo moment jemi tejet të shqetësuar për sigurinë e nxënësve tanë.

Preng Vata, drejtor i shkollës së mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”

“Diskot janë një dukuri tejet shqetësuese. Me dhjetëra herë kam njoftuar policinë, pasi këtu rreth e rrotull kemi shumë lokale të cilat në mënyrë shumë provokuese ngrejnë tonin e muzikës, e kthejnë në disko dhe nuk lënë nxënësit të bëjnë mësim. Nga ana tjetër joshin shumë nxënës që nuk janë të predispozuar të bëjnë mësim. Ky është një problem shumë i madh, pasi policia thotë e ka bashkia, e kështu me radhë. Shumë prej nxënësve kur kanë ftohtë në shkollë preferojnë më mirë të rrijnë në kafe”

Diana Kalemi, drejtoreshë gjimnazi “Petro Nini Luarasi”

“Duhet pasur edhe diçka tjetër parasysh që shkollat shqiptare janë oaz në shkretëtirë, që do të thotë se ka ndryshim të dukshëm midis ambientit të kulturuar brenda shkollës dhe realitetit që ndodh jashtë. Unë nuk marrë përsipër të marr të edukoj mjedisin e jashtëm. Unë kam në shkollë 1300 nxënës dhe sikur 1 për qind e tyre të dalë jashtë bëhet hataja. Ne nuk e mbyllim derën që të biem rehat vetë. Absolutisht që jo. Kjo nuk do të thotë se duke i pasur brenda problemet nuk mungojnë, por mbyllja e derës së jashtme është një masë për disiplinimin e nxënësve.”


(Shkruar me date 29 Shtator 2008 ne gazeten "Shekulli")
Mbrapsht në krye Shko poshtë
https://live-laugh-love.forummotion.com
 
Makthi shkollë! Disko dhe mungesa pa fund!
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Ishe ne shkolle sot??
» Shkolle - Lenda qe urreni me teper!!

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Live Laugh Love :: Tema Sociale-
Kërce tek: